Stay Signed In
Do you want to access your site more quickly on this computer? Check this box, and your username and password will be remembered for two weeks. Click logout to turn this off.
Stay Safe
Do not check this box if you are using a public computer. You don't want anyone seeing your personal info or messing with your site.
Ndeshja me Portugalinë, Beqiri gati "muri" për Ronaldo & Co.
Kuzhe: Dyshime për sulmin. Kueiroz euforik: Do t‘i mundim
Kuzhe, dyshime vetëm në sulm
Tre në garë për një fanellë
Bogdani, Salihi e Kapllani në "balotazh", Skela i avancuar
Josip Kuzhe vazhdon të përgatisë me kujdesin maksimal sfidën e së shtunës kundër Portugalisë. Trajneri i Kombëtares shqiptare do të debutojë përballë skuadrës më të kuotuar në Grupin 1 eliminator dhe kërkon që gjithçka të jetë e përgatitur deri në detaje. Pas analizës së të martës, edhe dje tekniku kroat ka zhvilluar një tjetër bisedë të gjatë me lojtarët për të transmetuar idetë e tij rreth mënyrës sesi duhet të luajnë kuqezinjtë.
Kur mungojnë vetëm 24 orë nga ndeshja në "Qemal Stafa", kroati 56-vjeçar duket se e ka përcaktuar edhe skemën që do të përdorë: 4-4-1-1, me dy mesfushorët e qendrës të vendosur përpara mbrojtjes. Detyra e tyre është të shërbejnë si "barrikada" e parë për manovrat sulmuese të kundërshtarëve që do të drejtohen nga ylli i Çelsit, Deko. Cana "sakrifikohet" në qendër të mbrojtjes, pas mungesës për shkak kartonësh të Dallkut, Skela do të luajë në rolin e sulmuesit të dytë, ndërkohë që në dyshim është vetëm emri i "pykës". Në balotazh për një fanellë janë tre lojtarë: Bogdani, Salihi e Kapllani.
Mbrojtja
Në mungesë të Arjan Beqajt, porta do t‘i besohet sërish Isli Hidit. Portugalia do të jetë një shans i mirë për "gardianin" e Krivbasit, pas paraqitjes jo të mirë në Danimarkë, për të konfirmuar aftësitë e tij. Përpara 28-vjeçarit, në mbrojtje do të rreshtohen katër lojtarë, ku problemi më i madh është mungesa e Armend Dallkut në krahun e djathtë. Kjo ka bërë që trajneri Kuzhe të mendojë tërheqjen e Lorik Canës në qendër të mbrojtjes, përkrah Debatik Currit. Në krahun e majtë do të luajë Endrit Vrapi, ndërsa nga e djathta ka hapësirë për Kristi Vangjelin. Lila dhe Teli janë alternativat në stol për repartin difensiv.
Mesfusha
Edhe pse do të përdoren katër lojtarë në mesfushë, rreshtimi do të jetë më tepër në shërbim të mbrojtjes. Përveç Klodian Duros dhe Ansi Agollit nga krahët, në qendër drejtuesi i stolit kuqezi pritet të përdorë dy lojtarë me tipare të theksuara mbrojtëse. Bëhet fjalë për Elvin Beqirin, që deri më tani është aktivizuar në qendër të mbrojtjes dhe Ervin Bulkun, me profesion "shkatërrues". Kjo është taktika që Kuzhe ka përdorur në seancat stërvitore, ku synon të thyejë që prej fillimit manovrat sulmuese të portugezëve. Forca e Bulkut dhe pozicionimi taktik i Beqirit janë vija e parë e mbrojtjes shqiptare dhe detyra e tyre kryesore është dueli me Dekon apo Joao Moutinjo. Një rreshtim i tillë do të thotë punë e dyfishtë për Duron dhe Agollin nga krahët. Në mungesë të mbështetjes nga mesfushorët e qendrës, përveç ndihmës në mbrojtje, ata duhet të marrin pjesë edhe në fazën sulmuese.
Sulmi
Revolucioni i vërtetë i trajnerit të ri është pozicioni i Ervin Skelës. Vlonjati do të vazhdojë të mbajë detyrën e regjisorit në fazën ofensive, por tashmë do të jetë më pranë portës. 32-vjeçari do të aktivizohet në të njëjtin rol si tek Energi Kotbuz gjatë sezonit që sapo u mbyll, pra si sulmues i fshehur. Përpara Skelës do të luhet vetëm me një sulmues të mirëfilltë dhe pikërisht këtu fillojnë dyshimet. Gjata analizave, Kuzhe ka lavdëruar Bogdanin, Kapllanin dhe Salihin për impenjimin në stërvitje, por në fund vetëm njëri prej tyre do të luajë si titullar. Shanset më të mëdha i ka Bogdani, edhe sepse për të praktikuar lojën me kundërsulme, nevojitet një sulmues me peshë, që do të ndihmojë ekipin të ngrihet përpara. Për t‘u theksuar është fakti se gjatë analizës për sulmin, trajneri nuk e ka përmendur për asnjë moment emrin e Besart Berishës, duke bërë që kosovari i Bërnlit të mos shihet si kandidat për këtë repart.
Shqipëria 4-4-1-1
Hidi
Vangjeli Cana Curri Vrapi
Bulku Beqiri
Duro Agolli
Skela
Bogdani
Mbrojtësi
23-vjeçari shprehet optimist për sfidën e së shtunës në "Qemal Stafa"
Kristi Vangjeli: Nuk më frikësojnë
kundërshtarët, pavarësisht emrit
Është vetëm 23 vjeç, por Kristi Vangjeli shihet si një prej pikave të forta të mbrojtjes kuqezi. Mbi të gjitha, në ndeshjet që Shqipëria luan kundër skuadrave të njohura në kontinent. "Përballjet me lojtarët e njohur si Ronaldo, Van Persi e të tjerë? Të luash kundër futbollistëve të këtij niveli, sidomos në arenën ndërkombëtare me përfaqësuesen është kënaqësi e veçantë. Në rastet kur luajmë me ekipe të mëdha, që kanë emra të famshëm, personalisht motivohem më shumë", deklaroi korçari. Vangjeli është edhe një prej rasteve të rralla në sportin më popullor në botë: ai nuk emocionohet asnjëherë përpara emrave të mëdhenj. "Është e vërtetë që përballë këtyre lojtarëve nuk emocionohem. Bëj gjithmonë të njëjtën gjë. Në futboll nuk më frikëson askush, pavarësisht emrit që ka", pohoi kuqeziu. Ndër detyrat që ka zbatuar në mënyrë të përkryer gjatë 17 ndeshjeve aktivizim me Shqipërinë ka qenë mbulimi i elementëve të spikatur të kundërshtarëve. Kjo ka ndodhur me Holandën, më 12 shtator 2007, ku neutralizoi Van Persin, ndërsa në eliminatoret e Botërorit 2010 Vangjeli ka shkëlqyer përballë Henrik Larson dhe Kim Kallstrom të Suedisë dhe Kristo Ronaldos, në barazimin 0-0 në Bragë. "Në takimin e luajtur në Portugali nuk shkëmbeva asnjë fjalë me Ronaldon. Në ndeshje nuk ke shumë mundësi të flasësh me kundërshtarin, sepse je i përqendruar vetëm te loja. Mendimi i vetëm në kokën time ishte t‘i qëndroja sa më pranë, në mënyrë që mos t‘i jepja mundësi të më driblonte", vijoi ish-mbrojtësi i Arisit të Selanikut. "Kristiano Ronaldo simulon? Ai nuk di të bëjë vetëm këtë. Është një futbollist i shkëlqyer. Kur luan kundër tij duhet të jesh gjithmonë i vëmendshëm, sepse mund të bëjë veprime të papritura".
Rreth rezultatit të ndeshjes, mbrojtësi shprehet optimist. "Gjithmonë mundohem t‘i shoh ndeshjet me optimizëm, pavarësisht vështirësive. Nuk dua ta teproj, por parashikoj një rezultat pozitiv. Mund të them një tjetër barazim përballë portugezëve, pasi ndryshe do të dukej e tepruar. Gjithsesi, nuk do të habitesha nëse të shtunën fitojmë", u shpreh Vangjeli. Në fundjavë, trajneri Kuzhe pritet ta aktivizojë në krahun e djathtë të repartit difensiv. Një pozicion ku lojtari është paraqitur në nivele të pëlqyeshme: "Mund të luaj pa probleme në të dyja krahët e mbrojtjes. Personalisht mendoj se ndihem më mirë në të djathtën, por kur ekipi ka nevojë luaj edhe majtas. Këto janë çështje të cilat nuk i kam diskutuar, pasi aktivizimi varet nga ajo që është më e mira për skuadrën. Kudo që luaj mundohem të jap gjithmonë më të mirën, pavarësisht rolit që preferoj".
Armend Dallku
"Unë, tifoz ultras nga tribuna"
Pas skualifikimit për ndeshjen në Braga, ata kartonë "të mallkuar" i kanë mohuar sërish të drejtën për të luajtur në sfidën e Tiranës ndaj Portugalisë. Ky është mbrojtësi Armend Dallku, i cili është i detyruar që këtë takim ta ndjekë nga tribuna. "Ndiej keqardhje që nuk do të jem kundër Portugalisë, nënvizon mbrojtësi. Edhe në ndeshjen e parë nuk kam luajtur. Portugalia ishte ndeshja kryesore e grupit dhe për këtë më vjen shumë keq që nuk luaj, pasi çdo lojtar tjetër kërkonte të luante në këtë takim. Gjithsesi fati i tillë është. Nuk mund t‘i parashikosh dot gjërat". Por ai premton se do të jetë një "ultras" i flaktë në mbështetje të shokëve të skuadrës: "Gjithsesi për këtë ndeshje do të bëj tifo për ekipin duke përkrahur çunat që të bëjnë maksimumin dhe për të përsëritur ndeshjen e parë në Braga". Ndërsa thekson se e ardhmja e tij për momentin është e parashikueshme.
Beqiri e ka gati "murin" ku
do të përplasen Ronaldo & Co.
Shkodrani beson se nuk do t‘i zhgënjejnë tifozët kuqezinj
Elvin Beqiri mban mbi shpatulla 42 ndeshje me bluzën e Kombëtares, shumë prej të cilave kanë qenë kundër skuadrave të mëdha. Është përballur dy herë me Kristiano Ronaldon & Co., ndaj nuk impresionohet shumë nga emrat e mëdhenj. Portugalia vjen të shtunën në Tiranë për të marrë me çdo kusht fitoren, por ai së bashku me kolegët e repartit po përgatisin një mur të pakalueshëm, tek i cili do të duhet të përplasen yjet portugezë dhe të gjitha ambiciet e tyre. "Është e vërtetë që Portugalisë nuk i duhet asnjë rezultat tjetër veç fitores, pohon mbrojtësi shkodran. Shpresojmë që të japim maksimumin në mbrojtje, por edhe si ekip të mos gabojmë, pasi jemi para tifozëve tanë dhe ata presin shumë nga ne, aq më tepër që në dy ndeshjet e fundit i kemi zhgënjyer disi". Për momentin nuk është i sigurt se cili do të jetë pozicioni që ai do të mbajë në fushë, por gjithsesi garanton se është gati të japë më të mirën e tij për të ndalur portugezët. "Mendoj se trajneri nuk e ka përcaktuar akoma skemën përfundimtare, por në cilindo pozicion që do të urdhërojë që unë të luaj, do të përpiqem të jap maksimumin", siguron Beqiri.
Kristiano Ronaldo është një "njohje e vjetër" për të, pasi kundër tij ka luajtur edhe dy herë të tjera. Përballja e parë daton më 11 tetor 2003 në miqësoren e famshme të humbur 5-3 nga kuqezinjtë. Ndërsa e dyta u përket eliminatoreve të Botërorit 2010 në grup më 15 tetor 2008, kur kuqezinjtë befasuan me një 0-0 në Braga. Edhe pse në sfidën e nesërme Ronaldo shikohet si rreziku kryesor për mbrojtjen tonë, Beqiri nuk tërhiqet: "Kjo është hera e tretë që unë do të luaj kundër Ronaldos dhe nuk mendoj se do ta kem shumë problem. E rëndësishme është të bëjmë një lojë të mirë kolektive dhe të mos u trembemi kualiteteve të kundërshtarëve". Ai mendon se për të frenuar yllin e Mançesterit, Dekon apo edhe emrat e tjerë të mëdhenj që nuk i mungojnë Portugalisë, do të duhet të zbatohen detyrat e dhëna nga trajneri Kuzhe. Ndërkohë që beson se "do të ishte më efikas një mbulim në zonë, të mos krijojmë hapësira të lira për ta, sepse Portugalia ka shumë lojtarë të mirë, që i shfrytëzojnë shumë këto zona të lira".
Me të lënë pas impenjimet me Kombëtaren (ndaj Portugalisë nesër dhe më 10 qershor miqësoren me Gjeorgjinë), Beqirit do t‘i duhet të rikthehet të mendojë për të ardhmen e tij, e cila për momentin duket shumë e pasigurt. "Kam nënshkruar një kontratë 1-vjeçare me Vllazninë në muajin janar, që do të thotë se kam edhe gjashtë muaj të tjerë. Por do të shqyrtoj ofertat që do të vijnë dhe shpresoj të lëviz". Një nga motivet e largimit është pikërisht dëshira për të luajtur në një kampionat të huaj, gjë që do t‘i jepte mundësinë ta kishte më të sigurt vendin në Kombëtare. "Synimi kryesor është ta vazhdoj karrierën në një klub jashtë Shqipërisë, por nuk e përjashtoj edhe ndonjë mundësi brenda për brenda", përfundon mbrojtësi.
Kundërshtari
Trajneri portugez beson se skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë ta shkatërrojë Kombëtaren e Josip Kuzhe
Paralajmërimi i Kueiroz: Nuk do të
doja të isha në vendin e shqiptarëve
Trajneri i Portugalisë, Karlos Kueiroz, është shfaqur më se i karikuar në konferencën e djeshme për shtyp para gazetarëve portugezë në prag të ndeshjes me Shqipërinë. Ai ka garantuar se po e menaxhon me qetësinë më të madhe këtë sfidë, pasi ka në dispozicion një grup "entuziast dhe me besim të pakufishëm te vetja". Për të ilustruar moralin e skuadrës, Kueiroz ka lëshuar një paralajmërim për kundërshtarët. "Po të isha trajner i Shqipërisë ose shqiptar, nuk do të kisha dashur ta vishja bluzën kuqezi në këtë ndeshje". Pas katër ditësh në stërvitje në Obidos, Karlos Kueiroz synon të transmetojë se niveli i besimit nuk ka qenë kurrë kaq i lartë. Por mendoni një herë nëse në fund të ndeshjes të jenë shqiptarët ata që i thonë trajnerit portugez: "Jemi ne ata që nuk duam të jemi në vendin tënd, Kueiroz". Ai e konsideron "të pakonceptueshme" idenë e mospjesëmarrjes së Portugalisë dhe "futbollit të saj të bukur" në Botërorin e ardhshëm. Gjithashtu ai pohoi se kanë zhvilluar një fazë përgatitore të mirë dhe "skuadra i kontrollon të gjitha aspektet e lojës. "Jemi lart moralisht, teknikisht", vazhdoi ai, duke theksuar se mezi pret të udhëtojë drejt Shqipërisë, ku do të korrë frytet e kësaj pune. Më pas ai ka lëshuar edhe një thirrje për tifozët portugezë: "Kur të fillojë himni, do të shikojmë lojtarët tanë në sy, në mënyrë që t‘u transmetojmë atyre besimin dhe dëshirën për të mos zhgënjyer tifozët portugezë". Dhe nënvizon se Kombëtarja meriton më shumë respekt sesa në muajin tetor 2008, kur barazoi 0-0 me Shqipërinë në Braga. Kueiroz tha se është koha për të përmirësuar renditjen dhe për të siguruar kualifikimin për në Botëror. "Duhet të tregohemi inteligjentë. Ne nuk kemi kohë për të humbur", u shpreh ai, duke i kërkuar skuadrës të kontrollojë "çdo minutë", sepse çdo veprim mund të bëjë diferencën për sa i përket rezultatit". Për të fituar tri pikë, "duhet të bëjmë gjithçka", sidomos në sulm, konfirmoi tekniku. "Kristiano është në formë të mirë dhe do të luajë". Në dy ditët e fundit, ylli i Mançester Junajtid u kufizua në stërvitje të diferencuar dhe ushtrime në palestër, por të premten ai do të jetë i gatshëm për Kuerizon". Tashmë trajneri është në pritje që lojtarët t‘i përgjigjen në lartësinë e synimeve të tyre. "Jemi ne ata që duhet të rikthejmë gjërat në rrugën e duhur, kemi nevojë për intensitet, kualitet, ritëm", theksoi trajneri, duke shtuar se pret një "ndeshje të madhe" nga Portugalia. "Ne nuk mund të garantojmë rezultatin e saktë, por jemi të sigurt se në 90 minuta lojë kualitative dhe futbolli impenjues, për një herë të vetme, nuk do të lëmë askënd të dyshojë për angazhimin maksimal të lojtarëve të Portugalisë", premtoi ai.
Udhëtimi
Portugalia, sot në mesditë në Tiranë
Pas afro një jave grumbullim, përfaqësuesja e Portugalisë do të zbarkojë sot në Tiranë. Në orën 13:40, yjet luzitanë, të drejtuar nga trajneri Karlos Kueiroz do të zbresin në aeroportin "Nënë Tereza", ndërsa menjëherë do të udhëtojnë drejt hotel "Sheraton". Pas akomodimit dhe disa orëve çlodhjeje, në 18:30 Kristiano Ronaldo, Deko dhe lojtarët e tjerë portugezë do të zhvillojnë stërvitjen e fundit në stadiumin "Qemal Stafa", përpara ndeshjes së të shtunës. Pas seancës me dyer të mbyllura, kundërshtarët e Shqipërisë do të organizojnë një konferencë për shtyp, ku përveç drejtuesit të stolit, pritet të flasë edhe ndonjë prej yjeve të skuadrës.
Rikthimi
Bariç, një tifoz "Vip" për kuqezinjtë
Humbja e turpshme 6-1 ndaj Rumanisë ndërpreu në mënyrën më të hidhur aventurën e Oto Bariç në krye të Shqipërisë. Deri në ato momente, ai e kishte fituar zemrën e shqiptarëve, por dështimi katastrofal në Bukuresht e shtyu drejt dorëheqjes, edhe pse kishte arritur një paramarrëveshje për rinovimin e kontratës. Por të shtunën "plakushi" simpatik përgatit rikthimin: këtë herë jo më për të drejtuar Kombëtaren, por për të bërë tifo për të nga tribuna "Vip" e "Qemal Stafës". Ish-trajneri kroat ka marrë një ftesë nga FSHF për të qenë i pranishëm në debutimin e bashkëkombësit të tij, Josip Kuzhe, në timonin e kuqezinjve, aty ku sugjeroi pikërisht vetë Oto.