Piczo

Log in!
Stay Signed In
Do you want to access your site more quickly on this computer? Check this box, and your username and password will be remembered for two weeks. Click logout to turn this off.

Stay Safe
Do not check this box if you are using a public computer. You don't want anyone seeing your personal info or messing with your site.
Ok, I got it
_____________________________________________________________________________________________________________
Home : Intervista | Intervistë/ Intervistoi dhe përgaditi   Elife Kurteshi
Fotografi shqiptar i CNN: Kam fiksuar tmerre në kamera, por                     më keq jam ndjerë në Gërdec
Nga Elife Kurteshi
          Intervista
_____________________________________________________________________________________
Tajlandë - Fotografi kosovar, Agron Dragaj, jeton në Bangkok, Tajlandë dhe është duke punuar intensivisht në fushën e fotografisë. Me dëshirë flet për profesionin e tij dhe impenjimet e shumta që i marrin pjesën më të madhe të kohës. Punimet e Agronit publikohen nëpër mediet më të njohura botërore dhe një ndër to është CNN, televizion i cili kohët e fundit i ka propozuar të transmetojë një përmbledhje të punimeve të tij në një prej programeve të këtij kanali gjigant. Lidhur me profesionin dhe pasionin e tij, fotografinë dhe çështje të tjera Agroni flet për Hermesnews


A mund të na flisni pak fjalë për veten tuaj?


Kam lindur më 8 janar 1968 në Prishtinë, ku kam përfunduar shkollimin në Universitetin e Prishtinës - Fakulteti i Filologjisë. Më vonë kam mbaruar edhe shkollimin në New York Institute of Photograhy - degën: fotografia profesionale.


Kur e zbuluat pasionin për fotografinë?


Që në moshën të re ishte i madh interesi im për fotografinë dhe artin në përgjithësi (sidomos për fotografi dhe muzikë). Përderisa fotografinë si profesion e zgjodha shumë më vonë, me muzikë jam marrë në adoleshence. Isha edhe anëtar i rock-grupit prishtinas “Fillimi i fundit”, me të cilin patëm shumë koncerte në Prishtinë, patëm incizuar edhe disa këngë në RTP.


Çfarë është fotografia për ju?


Fotografia për mua është një medium që të mundëson të kesh privilegjin të ngrish momentin, si e ke parë ti, moment i cili do të mbetet përgjithmonë dhe i ndarë nga të tjerët.


Na tregoni më shumë për punën që bëni...


Pas disa viteve të kaluara në mes të Evropës Perëndimore dhe Kosovës, në vitin 2002 shkova në Sri Lanka ku punova deri në vitin 2007. Në vitin 2005 formova agjencinë fotografike “The wideangle”, agjenci e cila ka pesëdhjetë fotografë profesionistë, në vendet të ndryshme të botës. Tani jam i vendosur në Bangkok, Tailandë, ku punoj si fotograf dhe mbuloj Azinë Juglindore. Këtë e bëj, jo vetëm për agjencinë time, por edhe për agjenci fotografike të tjera. Bëj revista udhëtimi, fotografi komerciale, të produkteve, korporatave etj. Së fundi kam filluar të punoj me modele, ku përgatis për ta portofolin e prezantimit. Por fotografia dokumentare, portretet dhe foto-gazetaria për mua janë degët më të preferuara. Punën time e krijoj edhe në studio, edhe në ambiente të ndryshme, varësisht nga kërkesa e klientit ose produksionit. Puna ime është publikuar mes të tjerash në: “Geo”, “Times”, “The Guardian”, “CNN traveller”, “Travel Sri Lanka”, “Remote Lands”, “Conde Nast”, “Silver Kris” etj.


A mund të na tregoni më hollësisht për punën që keni bërë në Sri Lanka?


Gjatë pesë viteve të punës time në Sri Lanka, përgatita një foto-dokumentar të quajtur “Portretet e të zhvendosurve”, të cilin kam vendosur ta bëj foto-libër, që shpresoj se do të publikohet vitin e ardhshëm në Singapor. Me këtë dokumentar kam përfshirë konfliktin e Sri Lankës, si dhe vuajtjet dhe zhvendosjet e tamilëve të atjeshëm, jo vetëm nga lufta, por edhe nga Tsunami, i cili la të vdekur 45,000 njerëz.


Cila është arsyeja që jetoni në Bangkok?


Kam punuar dhe jetuar në Sri Lankë pesë vjet e gjysmë. Pas kësaj vendosa të transferohem në Bangkok, Tailandë për arsye të ndryshme. Njëra nga to është që të jem në qytetin që është thuajse qendër e Azisë dhe shtetet e interesit tim janë afër nga këtu, për udhëtim të menjëhershëm. Po ashtu, Bangkoku është metropol, ku mundësitë për fotografi janë të gjera, shumica e klientëve të mi gjenden në Singapor, ku nga Bangkoku mbërrij brenda një ore, ndërsa Tailanda po ashtu ofron llojshmëri të natyrës, njerëzve, kulturës etj. Po ashtu, Azia më pëlqen shumë dhe kam ndërmend të qëndroj dhe të punoj në këtë rajon për njëfarë kohe. Këtu, të them të drejtën, nuk kam takuar shqiptarë të tjerë që punojnë, por kam dëgjuar se disa vijnë për pushime këtu, sepse plazhet e Tailandës janë të njohura për bukurinë e tyre.


Keni bërë projekte në Kosovë dhe Shqipëri. A mund të na flitni më gjerësisht për këtë?


Në mars të këtij viti me CNN Traveller magazine kërkoi të bënte një foto-esé për mua dhe punën time (zakonisht, në çdo numër të saj kjo revistë ka prezantimin e një fotografi të njohur botëror). Meqë jam nga Kosova, i propozova që të fotografoj diçka nga trevat tona, foto të cilat njëkohësisht do të kishin prezantuar edhe shtetin tim. Me atë qëllim u nisa në Kosovë, ku pos përvjetorit të masakrës në Krushë, bëra edhe një foto-esé për dhjetëvjetorin e Epopesë së UÇK në Prekaz, më vonë përcolla edhe lirimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, nga Tribunali i Hagës. Ndërsa në Shqipëri, më 15 mars 2008 për tragjedinë e Gërdecit, unë dhe kolegu im, Labinot Ibërdemaj (një fotograf jashtëzakonisht i mirë kosovar), arritëm atje, dhe po atë mbrëmje bëra një reportazh mbi atë tragjedi. Të shihje Gërdecin dhe katundet përreth të shkatërruara, ishte një tmerr,

pothuajse të gjitha shtëpitë që ndodheshin në rrezen e shpërthimit ishin plotësisht të rrafshuara, sikur të ishin goditur nga bomba atomike! Vuajtja ishte e paparë. Edhe pse të shoh vuajtje nuk është një gjë e panjohur për mua (sidomos duke pasur parasysh vuajtjet e tamilëve në Sri Lankë dhe katastrofën e Tsunamit), kjo tragjedi që goditi njerëzit e Gërdecit, disi me goditi edhe mua! Nuk mund të jesh fotograf profesionist, po nuk ekuilibrove emocionet e tua, por ta bëja këtë në Gërdec, ishte vështirë.


Keni bashkëpunim më shqiptarë apo me institucione shqiptare në trojet shqiptare apo jashtë vendit?


Kosova ka shumë artistë të mirë e të talentuar dhe talentet në fotografi nuk mungojnë,

përkundrazi. Mund të prek disa fotografë kosovarë (dhe përgjithësisht shqiptarë), punën e të cilëve e çmoj shumë, p.sh., Labinot Ibërdemaj që merret me fotografi artistike dhe komerciale, Flaka Kuqi, fotoreportere, Ferdi Limani, fotoreporter, Mimoza Veliu, fotografe artistike etj. Ky fakt më gëzon shumë, mirëpo audienca në përgjithësi për art në Kosovë nuk është në nivelin që duhet të jetë. Fatmirësisht, viteve të fundit arti dhe fotografia në Kosovë kanë filluar të marrin rrugë të mbarë dhe puna e artistëve/fotografëve ka filluar të ekspozohet dhe të çmohet, mirëpo e tërë kjo është në zanafillë. Për sa i përket bashkëpunimit me institucionet, nuk kam ndonjë, mirëpo unë si gjithmonë jam shumë i hapur.


A keni realizuar ekspozita?


Po. Gjatë viteve të fundit puna ime fotografike është ekspozuar në Nju-Jork (SHBA), Melburn (Australi), Angkor (Kamboxhia), Leçe (Itali), Colombo (Sri Lanka), Trincomalee (Sri Lanka), si dhe Bangkok (Tailandë), Singapor etj. Pos shpërblimeve të tjera për fotografi, në vitin 2007 për herë të parë mora pjesë në konkursin internacional të fotografisë artistike “Gjon Mili 2007” ku juria më dakordoi vendin e dytë - mirënjohje.


Çfarë planifikoni për të ardhmen?


Siç përmenda edhe më lart, foto-librin “Portretet e të zhvendosurve” do ta botoj nga mesi i vitit të ardhshëm dhe jam në bisedime me shtëpinë botuese, e cila shprehu interesim për këtë. Me lançimin e librit do të kem edhe ekspozitën dhe jam në biseda e sipër me dy galeri, njëra në Singapor e tjetra në Sri Lanka. Edicionet e limituara (prints of limited editon) të fotografive janë në shitje nëpërmes galerisë Saatchi të Londrës.